Ia theu hundën 18-vjeçarit për shkak të borxhit, ky është i riu nga Peja që përfundoi në pranga të Policisë
Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në qytetin e Pejës, ku një person dyshohet se e ka sulmuar brutalisht një 18-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është Ylli Ibraj, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari Ibraj fillimisht ka pasur një konflikt me viktimën teksa ndodheshin në lokalin ‘Wake Up”, duke e grushtuar dhe për pasojë ia ka thyer hundën.
Pas sulmit, i dyshuari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor, si pasojë e lëndimeve serioze.
Të njëjtat burime thonë se motivi i rrahjes dyshohet të jetë një borxh, që i futi palët në sherr.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit ndaj të dyshuarit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, ka njoftuar Policia.
Ndryshe, Ibraj është emër i njohur për organet e rendit, pasi edhe më parë ka përfunduar në prangat e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.