“Ia mbyllën gojën me ngjitës…” – Gjykata merr vendim për hajnat që terrorizuan marketin Bas në Viti, vodhën rreth 30 mijë euro
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë personave që dyshohet se kanë kryer vjedhje të rëndë dhe grabitje në marketin Bas në Viti.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Vjedhjen e parë e kishin kryer më 1 qershor, ku kishin arritur që t’i vjedhin 28 mijë euro para të gatshme.
“Me datën 01.06.2023, rreth orës 02:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Viti, marketin “B….”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete të pandehurit kanë kryer vjedhje të rëndë në dëm të të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe planifikim të veprimeve, të njëjtit kanë shkuar në marketin e lartcekur, ashtu që fillimisht të pandehurit M. B. dhe G. S. hapin me forcë dyert e marketit, depërtojnë në brendi dhe në zyre të marketit marrin shumë prej 28.000€, e më pas largohen në drejtim të parkingut ku ishin duke i pritur të pandehurit M.M., A.M. dhe Z.M., të cilët ishin duke e siguruar terrenin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
E, pak muaj më vonë, të dyshuarit janë kthyer sërish në marketin e njëjtë, ku nën kërcënimin e armës kanë vjedhur 2 mijë e 500 euro. Ata madje kishin keqtrajtuar edhe të dëmtuarin, duke ia lidhur gojën me ngjitës.
“Po ashtu me datë 05.10.2023, rreth orës 23:00, në Viti pikërisht në marketin e njëjtë me qëllim që ti sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme kryejnë grabitje në dëm të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe duke i ndarë rolet, ashtu që të pandehurit M. B. dhe G. S., të maskuar e me përdorim të forcës apo kanosjes serioze duke mbajtur armë në dorë, ndaj të dëmtuarit H. H., ashtu që derisa i dëmtuari i kishte mbyllur dyert kryesore të marketit, të pandehuri i dalin para, në afërsi të marketit, në errësirë me ngjitës i’a mbyllin gojën të njëjtit… e më pas me forcë hapin dyert e marketit, depërtojnë në brendësi dhe aty marrin shumë prej 2500 €, e më pas dalin nga marketi dhe bëhen bashkë me të pandehurit M.M, A.M. dhe Z.M. të cilit ishin duke i pritur me veturë”, thuhet më tej në njoftim.
Më këto veprime të dysharit kanë kryer veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Grabitje”.