I riu në Fushë Kosovë rrah të dashurën pasi dalin nga moteli, e godet deri në alivanosje
Dhuna është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Ato vazhdimisht kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga organet e rendit, pasi përballen me dhunë sistematike në forma të ndryshme si psikike, fizike e seksuale. E të dyshuar në këto raste, zakonisht janë partnerët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në Fushë Kosovë dje, ku një i ri është kapur në flagrancë duke ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur i dyshuari dhe viktima kishin dalë rreth orës 03:00 për xhiro me veturë e më pas kishin vazhduar në një motel.
38-vjeçari dyshohet se ka konsumuar substanca të dyshuara narkotike dhe pasi kanë ikur nga moteli, brenda veturës me të cilën po udhëtonin, ka sulmuar fizikisht 28-vjeçaren. Ai u kap në flagrancë nga Policia, të cilët u informuan lidhur me rastin nga disa qytetarë që panë gjithë ngjarjen.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima ka deklaruar se gjatë tmerrit që përjetoi, në disa momente kishte humbur edhe vetëdijen. Si pasojë e dhunës së përjetuar, ajo ka marrë lëndime trupore për çka edhe i është ofruar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion, ku gjatë intervistimit nga hetuesit policorë ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, duke pretenduar se kanë zhvilluar një bisedë normale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.