I gjejnë 60 fishekë dhe thikë në bagazhin e veturës, rahovecasi thotë se s’ia ka idenë si përfunduan aty

Foto ilustruese

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.

Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.

Një rast i tillë është zbuluar në Rahovec, pasi një njësi policore që po patrullonte në një pikë kontrolli në Krushë të Madhe ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, në bagazhin e veturës janë gjetur 60 fishekë dhe një mjet i mprehtë, që janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Shoferi është shoqëruar në stacion policor për intervistim si i dyshuar, ku ndër të tjera ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion se si kanë përfunduar fishekët në veturën që po e drejtonte.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se kjo veturë, sipas informacioneve të para, është pronë e një autosalloni.

Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Nëse e shihni këtë person, lajmëroni menjëherë Policinë