Abuzimi me drogë: Kapet në flagrancë me kokainë një 30-vjeçar në Gjilan

Foto ilustruese

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Gjilan, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur te njëri nga pasagjerët një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit kokainë.

I dyshuari (30-vjeçar) është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Prangoset shtetasi i Maqedonisë së Veriut, i ofroi ryshfet policisë për të mos e gjobitur në trafik