I fshehu mbi 5 mijë euro nën tepih, rahoveciani e gjen zarfin thatë

Shumë qytetarë zgjedhin që paratë e tyre të gatshme t’i ruajnë në shtëpi dhe jo në institucione financiare. E një metodë e moçme e kosovarëve është edhe ruajtja e parave nën tepih. Kështu zgjodhi të veprojë edhe një person në Rahovec, i cili më pas u detyrua të kërkojë ndihmën e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se mbrmë rahovecasi është paraqitur në stacion policor, ku ka deklaruar se kishte fshehur mbi 5 mijë euro nën tepih në dhomën e ndejës shtëpinë e tij, por të njëjtat nuk i ka gjetur aty. Ai ka pohuar se aty kishte mbetur vetëm zarfi i zbrazët.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  Ky është hetuesi policor që u arrestua në flagrancë nga IPK, dyshohet për marrje ryshfeti