I dhanë 4 mijë euro që ta punësojnë vajzën në spital, burri nga Prizreni denoncon një person për mashtrim

Persona të ndryshëm synojnë të përfitojnë financiarisht me premtime boshe se në këmbim të parave, mund t’u sigurojnë qytetarëve një vend pune nëpër institucione të ndryshme. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një qytetar i komunës së Prizrenit, i cili pagoi shumë të majme parash që vajza e tij të punësohet në një spital publik në Beograd.

Qytetari nga Prizreni bashkë me bashkëshorten e tij shkuan në derë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, ku denoncuan një person të cilin e identifikuan me emër e mbiemër se i njëjti i ka mashtruar dhe u ka marrë atyre 4 mijë euro.

Sinjali mëson se i gjithë pazari u bë që vajza e viktimës të punësohet në një spital në Beograd dhe për këtë duhej paguheshin mijëra euro.

Viktima ka deklaruar se të dyshuarit i ka dhënë një pjesë të parave në muajin janar, e më pas i dyshuari i kishte kërkuar edhe pjesën tjetër. I dyshuari vazhdonte me premtimet e tij se vajza do punësohet në spital, mirëpo puna nuk po kryhej ende gjë e cila e bëri viktimën të dyshojë se gjithçka është mashtrim.

Me të kuptuar se u mashtrua, prizrenasi filloi të kërkojë që t’i ktheheshin mbrapsht paratë e tij. Por kjo nuk ndodhi, prandaj u detyrua që rastin ta denoncojë në organet e rendit.

Policia ka marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Mashtrim’.

Lexo edhe:  Ky është kosovari që dyshohet se u plagos në Shëngjin, dalin pamjet