I dehur bie nga shkallët në një çajtore në Prizren, 26-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

Abuzimi me pije alkoolike në shumë raste fut në telashe të rinjtë, të cilët humbin kontrollin mbi veprimet e tyre. E shpeshherë ndodh që të njëjtit të pësojnë edhe lëndime si pasojë e paqëndrueshmërisë së tyre nga konsumimi i tepërt i alkoolit.

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një lokal për shërbimin e çajit në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren, ku një klient në gjendje të dehur ka rënë nga shkallët.

Sinjali mëson se 26-vjeçari pasi është nisur në drejtim të tualetit, ka humbur balancën e trupit dhe si pasojë është rrokullisur poshtë shkallëve, duke mbetur i lënduar rëndë.

Ai është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, ku pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të gjendjes së rëndë ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së bëjnë me dije se sipas ekzaminimeve mjekësore, gjendja shëndetësore e të riut është shumë e rëndë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim aksidental’.

Lexo edhe:  Aksident në Vragoli, kolona deri në 7 kilometra