Hysni Gucati vjen në Kosovë ta vizitojë nënën e tij në gjendje të rëndë shëndetësore

Gjykata Speciale ka pranuar kërkesën e mbrojtjes së ish-kryetarit të OVL-UÇK, Hysni Gucatit, që ky i fundit ta vizitojë nënën e tij.

Në parashtresën e mbrojtjes së Gucatit, gjendja shëndetësore e nënës së tij përshkruhet si e përkeqësuar.

Përkundër kundërshtimeve të prokurorisë për pranimin e kërkesës pas dënimit të Gucatit, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka aprovuar kërkesën e Gucatit. Në parashtresën që ka parë Demokracia.com, vlerësohet respektimi i rregullave të paracaktuara në katër vizitat e mëhershme të Gucatit në Kosovë.

“Së fundi, gjykata vëren se z. Gucati i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura ndaj tij si në vizitën e tij të fundit, ashtu edhe në tri rastet e mëparshme”, thuhet ndër të tjera në parashtresë.

Sipas kësaj parashtrese, vizita e Gucatit do të zgjasë një ditë.

Ish-kreu i OVL-UÇK ka të drejtë që, përveç nënës së tij në gjendje të rënduar shëndetësore, të vizitojë edhe familjarët e tjerë.

Specialja ka kërkuar bashkëpunim me autoritetet kosovare përgjatë kohës sa Gucati do ta vizitojë Kosovën, kohë kjo e cila nuk është përcaktuar në vendimin e lëshuar nga gjykata.

Prokuroria Speciale e ka konsideruar si “të pabazë” kërkesën e mbrojtjes së ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, për vizitë të nënës së tij.

Në parashtresën që kishteparë Demokracia.com pretendohet se në raportin mjekësor të prezantuar nga mbrojtja e Gucatit ekzistojnë “disa rreshta të paqartë”, derisa një pjesë e konsiderueshme e arsyetimit është e redaktuar.

“Kërkesa e Pestë pohon se nëna e GUCATIT është në [E REDAKTUAR]. Raporti Mjekësor është i përbërë nga disa rreshta të paqartë, gjë që nuk e mbështet këtë pretendim. Ai i referohet gjendjes së saj mjekësore si [E REDAKTUAR] dhe nuk jep asnjë bazë për pohimin se “[E REDAKTUAR]”. Raporti mjekësor gjithashtu thekson se nëna e GUCATIT është [E REDAKTUAR]. Sikur Raporti Mjekësor i 22 shkurtit të 2022-ës të përmbante ndonjë informacion që tregon urgjencë të vërtetë, duhet të supozohet se Mbrojtja do ta kishte paraqitur kërkesën në një datë më të hershme”, thuhej në parashtresën e ZPS-së.

Lexo edhe:  Zjarri i frikshëm në ETC, 6 persona bëhen për Emergjencë

Prokuroria e Speciales e ka parë edhe si problem çështjen që Gucati kërkesën po e parashtron si i dënuar nga gjykata.

Në kërkesën që ka parashtruar mbrojtja, u theksua se Gucati do të qëndronte për një ditë në Kosovë.

“Prandaj, nëse gjyqtari pranon kërkesën e z. Gucati për vizitë, Sekretari konsideron se një transferim i përkohshëm i z. Gucati në Kosovë për një (1) ditë, [I REDAKTUAR], do të ishte i realizueshëm, duke kuptuar që z. Gucati do të mbetej në kujdestari të Dhomave të Specializuara në çdo kohë”, thuhej në kërkesë.

Gucati ka vizituar nënën e tij, e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore, edhe katër herë të tjera përgjatë kohës sa po mbahej në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.