Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Kushtetueses çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik – kjo ishte pika që e mbushi kupën

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.

“[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies”, thotë Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.

“Qartazi, nuk flas në emër të administratës Trump, ndaj është e vështirë t’i shpjegoj saktësisht motivet dhe vendimet e saj.

Do t’ju jap vlerësimin tim, i cili mund të jetë i gabuar. Nuk besoj se kishte një akt të vetëm që çoi në këtë vendim. Mendoj, gjithashtu, se ishte një grumbullim i frustrimeve, ose, për të përdorur një shprehje amerikane, ishte pika që e mbushi kupën.

Lexo edhe:  Ky është personi që vdiq në aksidentin në Prugovc

Mendoj se akti i fundit që çoi në këtë vendim – ai që bëri që njerëzit në Uashington të vendosnin se duhej të ndërmerrnin veprime – ishin deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve në Qeverinë e tij që kritikuan drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese, një institucion i pavarur, i themelur me Kushtetutë, në hartimin e së cilës ka kontribuuar edhe SHBA-ja.

Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime”, tha Hovenier.