Hovenier: Çështja e sulmit në veri nuk merr fund me deklarimin e Milan Radojçiqit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk beson se merr fund me deklarimin e ish -nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq, se ai e ka organizuar sulmin.

“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”, ka thënë Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë.

Si pasojë e sulmeve të 24 shtatorit, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Ai është marrë në pyetje nga autoritetet serbe më 3 tetor lidhur me zhvillimet në Banjskë, ndërsa është liruar nga mbajtja më 4 tetor.

Lexo edhe:  Babai i 7 fëmijëve që jeton me 150€ social, mbetet pa fjalë nga emocionet kur merr dhuratë nga mërgimtarët