Hipi në veturën e pejanit dhe ia vodhi 200 euro nga xhepi, kapet 24-vjeçari i dyshuar

Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë fatkeqësinë e dikujt, ose çfarëdo rasti në mënyrë që të kapin sado pak para e gjësende me vlerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë, kur një qytetar ra pre e një të dyshuari, i cili ia avulloi një 200-she.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se nga dëshmia e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë është kuptuar se i dyshuari fillimisht kishte hipur në veturën e tij dhe pas një konflikti verbal, dyshohet se ia kishte marrë paratë nga xhepi.

Sinjali mëson se posa është denoncuar rasti, Policia është aktivizuar për të kapur të dyshuarin, i cili u prangos pas një periudhe të shkurtët dhe u shoqërua në stacion policor. Gjatë dhënies së deklaratës, ai dyshohet se e ka pranuar veprën për të cilën ngarkohet.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe inicimin e rastit si “Vjedhje”.

Lexo edhe:  Vjedhja 200 mijë eurove në shtëpinë e shehut në Gjakovë, ky është i arrestuari i dytë