Heroi Safet Boletini, i riu që la Gjermaninë për t’u bërë dëshmor i Kosovës

 

Heroi i Kosovës Safet Boletini – komandant Tigri, ishte figurë e rëndësishme i cili iu kundërvy një regjimi shtypës, si ushtar i dalluar dhe ndërgjegje e zgjuar kombëtare, ndërsa hoqi frymën e fundit duke belbëzuar fjalët ‘Rroftë Shqipëria etnike të cilën e deshëm aq shumë’.

Pas flijimit sublim të familjes Jashari në Prekaz, pas vrasjes së komandantit Adem Jashari dhe të tjerëve, Safeti, bashkë me disa shokë vendosën që të kthehen në Kosovë, dihet, për të vazhduar luftën, për t’i treguar e dëshmuar botës se, me vrasjen e komandantit Adem Jashari, nuk ishte vrarë shpirti çlirimtar e idealet e lirisë. Për këtë Safeti u inkuadrua si ushtar i uniformuar në Brigadën 141 “Mehë Uka” në Shalë të Bajgorës.

Safet Boletini, arriti të përgatisë profesionalisht e taktikisht njësitin e tij special “Tigrat”. Kjo përgatitje e mirë u dëshmua në fillimet e luftimeve që bëri ky njësit në brezin kufitar, mu në Pashtrik. Njësiti që e udhëhiqte Safet Boletini, luftonte në kuadër të Batalionit II që e drejtonte Fazli Berisha, drejtues taktik nr. 2 të operacionit “Shigjeta” në zonën e Pashtrikut që e drejtonte Kemajl Shaqiri.

“Më 31 maj 1999, rreth orës tetë, armiku, duke parë rrezikun e madh që po i kanosej, përdori gjithë arsenalin luftarak më modern kundër luftëtarëve të lirisë.

Safeti, me luftëtarët e njësitit të tij, si gjithmonë, ishin të gatshëm për t’u ballafaquar me forcat e armikut. Ai me bashkëluftëtarët e tij, si gjithherë, u gjend në vijën e parë të frontit. Ata ishin futur në thellësi të forcave të armikut. Duke mos mundur që të zbulojë veprimtarinë e njësitit të “Tigrave”, armiku vendosi të përdorë artilerinë e rëndë. Kështu, vuri në shënjestër zonën ku vepronte njësiti.

Në një luftë të pabarabartë për jetë a vdekje, atë ditë ranë heroikisht Safet Boletini dhe bashkëluftëtari i tij, Ejup Kasumi nga fshati Strofc i komunës së Vushtrrisë, ndërsa u plagos një tjetër.

Lexo edhe:  Ministri Sveçla merr vendim për gazetaren – spiune ruse që tentoi të hyjë në Kosovë