Haxhiut i shkojnë në takim veç njerëzit e partisë dhe minoritetet
U refuzua nga opozita, Albulena Haxhiu e mban takimin me shefin e saj, Albin Kurti, disa partnerë të VV-së dhe përfaqësues të partive minoritare.
Albin Kurti, Donika Gërvalla, Mimoza Kusari-Lila dhe disa përfaqësues të partive minoritare i kanë shkuar në takim Albulena Haxhiut, Ushtrueses së detyrës së Presidentes, njëherit deputetes së Lëvizjes Vetëvendosjes, për të diskutuar për çështjen e Presidentit.
Partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca – e kanë refuzuar këtë takim.
Haxhiu e kishte ftuar takimin me përfaqësuesit e partive politike më 14 gusht.
Por, PDK, LDK dhe AAK refuzuan që të shkojnë. Ata konsiderojnë se Haxhiu është vetëm deputete.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha të hënën se mund të takohen vetëm me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
PDK dhe Aleanca theksuan se Haxhiu nuk është Presidente, derisa i kërkuan Kurtit që sa më parë ta konstituojë Kuvendin, derisa e akuzojnë për “cenim të rendit kushtetues”, pasi që, përkundër se i kishte votat, nuk e zgjodhi Kryetarin e legjislativit brenda afateve të parapara me Kushtetutë.
Por, përkundër se opozita e refuzoi, Haxhiu po e mban takimin me shefin e saj, Albin Kurti, Kryetaren e Partisë Guxo, partnere e VV-së, Donika Gërvalla, dhe partneren tjetër të VV-së, Kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

