Haxhiu viziton familjen e shtatzënës së vrarë: S’do të lëmë gurë pa lëvizur në zbardhjen e rastit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka vizituar familjen e Hamide Magashit, e cila u vra në oborrin e QKUK-së nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.
Ajo në një prononcim për Telegrafin tha se nuk do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“Po, së bashku me kabinetin dhe deputetë ishim te familja e të ndjerës Hamides, për ngushëllime. Dhimbje e madhe si për familjen ashtu edhe për ne. Përveç shprehjes së ngushëllimeve, u zotova që puna në adresimin e papërgjegjësisë do të vazhdojë dhe nuk do të lëmë gurë pa lëvizur, derisa secili që nuk ka kryer punën në bazë të kompetencave të ndëshkohet për këtë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se janë në pritje të raporteve nga QPS-ja për katër zyrtarët e suspenduar.
“Siç e keni parë dje janë suspenduar katër zyrtarë, ata do të procedohen edhe penalisht. Jemi në pritje të raporteve nga QPS dhe inspektorati shëndetësor”, tha Haxhiu.