Haxhiu akuzon MKRS-në “për zhvatjen e 1 milion eurove” nga renovimi i fushës në “Fadil Vokrri”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë akuzë të rëndë publike të hënën, lidhur me renovimin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Puna për renovimin e fushës ka nisur vetëm të premten.

Sipas Haxhiut, është firmosur kontratë prej 1,3 milionë euro për punën që kushton deri në 300 mijë euro.

“Zhvatësit në aksion”, ka shkruar Haxhiu, që për kohë të gjatë ishte pjesë e futbollit. Ai ka mbajtur postin e nënkryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Ministri duhet të tregoj për kontratën një burimore për fushën me bari sintetik hibrid në vlerë 1.3 milionë, që në çmimet e tregut nuk kushton më shumë se 270-300 mijë euro. Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoi këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore? Si u transferuan paratë nga MKRS-ja në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS – FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove”, ka shkruar deputeti Haxhiu në Facebook.

Ai ka shkruar se sektori i sportit po keqmenaxhohet dhe për këtë arsye ka degradim të sportit, keqpërdorime, zhvatje, dështime në infrastrukturën sportive, në organizim dhe dhunë edhe te fëmijët.

Lexo edhe:  Ky është burri nga Vushtrria që rrahu bashkëshorten dhe kushëririn shkaku i xhelozisë