“Hale këtu a, mos po do me ta ndalu spitalin” – flet burri i shtatzënës së larguar me forcë nga gjinekologu

Falë Zotit, bebi është mirë, ka 1 javë që ka ardhë në jetë. Por, e ëma, 32 vjeçare nga Gjakovë përjetoi jo ditë të lehta kah fundi i shtatzënisë. Krejt kjo për shkak të presionit psikik të ushtruar nga ushtruesi i detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Genc Macula, tashmë i shkarkuar. Në bisedë për Insajderi bashkëshorti i saj, A.H, i cili ka kërkuar të mos i bëhet i ditur identiteti ka rrëfyer ngjarjen, në detaje.

Shtatzëna është ankuar se gjinekologu Macula e ka larguar me forcë atë me arsyetimin se kontrollet i ka kryer në ordinancë private.

“Me sa unë mora vesh ky doktori, Macula nuk flet me doktoreshën (ku është kontrollu bashkëshortja), por kjo për mua nuk është me rëndësi”, ka thënë bashkëshorti i saj teksa pretendon se kjo mund të jetë njëra prej arsyeve e sjelljeve arrogante të mjekut ndaj pacientes shtatzëne.

Si ndodhi rasti?

A.H thotë se doktoresha i kishte dhënë gruas së tij datën 27 tetor, si datën e fundit për sjelljen në jetë të foshnjës. Si rrjedhojë, duke ditur se ditë po afroheshin, ajo është shtrirë në Spitalin e Gjakovës për ta kryer lindjen.

Por meqë dhimbjet nuk po e rroknin, ajo e kishte pyetur mjekun nëse mund të shkonte në shtëpi.

Ndërkohë që shton se i ishte kthyer ashpër duke i thënë se pastaj lindjen mund ta kryente në ordinancën private. “edhe ta bën një çmim më të lirë”, ishte shprehur Macula sipas bashkëshortit.

“Me 28 tetor, bashkëshortja është shtruar në spital, ka qenë ditë e shtunë në mbrëmje, është vendosë në spital, të dielën vizitë nuk ka pasur, të hënën normal ka ardhë vizita, e kam kontrolluar dhe ia këqyrë dokumentet ky Genc Macula se ku është këqyrë, pra, letrat e doktoreshës privat dhe pasi ia ka pa letrat, e kanë kontrolluar atë ditë dhe të nesërme kur ka ardhë kontroll pasi nuk ka pasur dhimbje i ka thënë doktorit a mundem me shku në shtëpi pasi nuk kam dhimbje, dhe spitalin e kam afër këtu në Gjakovë“, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Këta janë 14 personat e arrestuar në Call Center-a

“Doktori Macula i ka thënë në rregull, kanë qenë edhe doktorë tjerë aty prezent. Dhe, i ka thënë mundesh me shku dhe kur të kapin dhimbjet mundesh me ardhë, ose me u ndalë tek vendi ku je kontrollu edhe ta bën një çmim të mirë, më të lirë“.

“Dhe, me sa unë mora vesh ky doktori, Macula nuk flet me doktoreshën (ku është kontrollu bashkëshortja), por kjo për mua nuk është me rëndësi”, rrëfen ai.

Përderisa, gjinekologu Macula i kishte thënë se mund të shkonte në shtëpi, mjekët e tjerë e kishin sugjeruar të qëndronte sepse mund ta rrezikonte jetën e foshnjës.

“Edhe shoqja jem nuk ka bë zë, krejt në rregull, nuk ka shku – si ka dalë mjeku prej atyshit, motrat e doktorët tjerë aty i kanë thënë ti rri këtu, më mirë se me të rrok dhimbjet e gjëra nuk bën, e rrezikon beben. I kanë thënë, nuk e ki gjendjen për me shku. Pastaj, bashkëshortja i ka thënë doktor Macula më ka thënë për me shku, nuk po di kënd me ndëgju, i ka thënë mjeku tjetër, edhe pse të thotë ai shko, ti qëndro në spital, thuaj kam dhimbje dhe se du me qëndru“, u shpreh ai.

Ditën tjetër, Macula ishte treguar edhe më i ashpër me shtatzënën duke i thënë “a mos po do me ta ndalu Spitalin”.

“Të enjten ka ardhë doktori dhe i ka thënë një motrës jepja një flet-lëshim, pasi ka dalë mjeku, të tjerët i kanë thënë nuk bën ti me shku, se mundesh me humb bebën, bashkëshortja ka vendos mos me shku, ka qëndru në spital. Të premten ka ardhë vizita në dhomë dhe doktor Macula i ka thënë, ti hale këtu je a, a mos po do me ta ndalu Spitalin, dhe shoqja prej ditës së martë ka pasur presion prej tij, njëfarë forme edhe vet e ka deklaru, vet mjeku i ka thënë s’mundesh ti kur duash me hi me dalë, jo ajo, jo kjo…”, tha A.H.

Lexo edhe:  Policia e Serbisë “kidnapon” 3 policë të Kosovës në kufirin në Jarinje

Me të përjetuar këtë presion, ajo ka vendosur të ankohet, tha bashkëshorti i saj.

“Si ia ka thënë këto fjalë, shoqja fill e ka thirrë Ministrinë e Shëndetësisë, si e ka bë ankesën, ka shku tek drejtori dhe ai menjëherë e ka shkarku”.

Si rezultat i ankesës së saj, drejtori i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, Hilmi Shala e ka shkarkuar ushtruesin e detyrës së repartit të gjinekologjisë, Genc Maculën.

“Rasti ka qenë tepër i ndjeshëm dhe veprimi i jonë ka qenë i menjëhershëm. Ne jemi të obliguar që të gjithë qytetarëve t’u ofrojmë ndihmën e kërkuar pa dallime, për arsye se të gjitha institucionet publike e private që janë të licencuara, jemi të barabarta me Ligj, pavarësisht se nga cili institucion referohet”, ka deklaruar drejtori Macula.

Shala tha se vendimi është marrë në bazë të ankesës dhe i është hapë rrugë Komisionit Disiplinor.