Hajni që ka kryer mbi 60 vjedhje bie sërish në prangat e Policisë, dërgohet në Burgun e Dubravës

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset.

Marketet e xhamitë në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, duke kapur qoftë para apo edhe gjësende ushqimore. Një ndër hajnat që dyshohet për mbi 60 raste të vjedhjeve ka rënë sërish në prangat e Policisë.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Llukman Salihaj nga Shtimja, për të cilin Sinjali ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar, kur ishte arrestuar herën e fundit pasi dyshohej për një rast të vjedhjes në Prizren.

Ndaj Salihajt, historia e të cilit është kriminale dhe e pasur me plot vepra penale, autoritetet janë treguar dorëlirë duke e liruar dhe si rezultat ai ka vazhduar me veprimtarinë e tij.

Pa kaluar disa muaj, ai sërish ka rënë në prangat e Policisë pasi ishte në listën e personave të kërkuar, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë. Salihaj u kap së fundmi në Lipjan dhe më pas është dërguar në Burgun e Dubravës për ta vuajtur dënimin.

Salihaj edhe në tetor të vitit të kaluar ra në prangat e Policisë

I riu që dyshohet për dhjetëra vjedhje, disa prej të cilave i ka kryer nëpër xhamitë e Ferizajt edhe në fund të tetorit ka rënë në prangat e Policisë.

Ai ishte arrestuar pasi dyshohej për së paku katër vjedhje të rënda në xhaminë e vogël në rrugën “Ramadan Ferizi”, në xhaminë e fshatit Kosi, xhaminë në rrugën “Hamëz Jashari”, si dhe në xhaminë e fshatit Slivovë.

Lexo edhe:  E turpshme: Këta janë përdhunuesit e 11-vjeçares