Hajnat hyjnë të grabisin në një shtëpi në Mitrovicë të Veriut, e bëjnë llom 84-vjeçaren që s’u dha para

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, duke shkaktuar humbje e pasiguri.

Një rast i tillë ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut ku persona të panjohur pas mesnate kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie, ku kishin qëllim që të kryenin grabitje.

Sinjali mëson se të dyshuarit kanë hasur në një grua të moshuar, me ç’rast nën kërcënimin e thikës kanë kërkuar nga ajo para.

Në momentin që 84-vjeçarja kishte thënë se nuk ka para t’u jap, të dyshuarit kishin filluar ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dhunës, e moshuara ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital ku po vazhdon të trajtohet.

Ndërkohë për rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa kanë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar personat e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Vdes një grua pasi u alivanos në një autobus urban në Prishtinë