Greva e RTK-së për rrogat, Rugova: Heshtja, vonesa dhe mungesa e veprimit nuk janë zgjidhje

Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë protestuar këtë të martë para objektit të Radio Televizionit të Kosovës, si reagim ndaj mosekzekutimit të plotë të pagave për punëtorët e këtij institucioni.

Përfaqësuesi i sindikatave, Veton Rugova, në emër të punëtorëve të RTK-së, i kërkoi bordit drejtues që menjëherë të sigurojnë pagesën e plotë të pagave dhe të japin përgjigje të plotë për punëtorët.

“Kemi mbajtur gjallë transmetuesin publik me profesionalizëm dhe përkushtim . sot, pikërisht ata njerëz që kanë mbajtur RTK-në në këmbë, po përballen me pasiguri për pagat e tyre, kjo është e padrejtë dhe e papranueshme. Pas çdo punëtori të RTK-së qëndron një familje, paga nuk është luks, paga është mjeti me të cilën mbajmë familjet tona dhe sigurojmë jetesën. Ne nuk kërkojmë privilegje, ne nuk kërkojmë favore, kërkojmë vetëm atë që na takon me ligj”, tha Rugova.

Ai shtoi se heshtja, vonesa dhe mungesa e veprimit nuk janë zgjidhje.

“Duhet të thuhet qartë, punëtorët nuk janë shkaktarët e kësaj krize, ata nuk kanë menaxhuar financat, nuk kanë marrë vendime për buxhetin dhe nuk mund të paguajnë çmimin e gabimeve të të tjerëve, prandaj sot kërkojmë përgjegjësi nga ata që kanë pasur detyrim që ta drejtojnë dhe ta mbrojnë këtë institucion. Heshtja, vonesa dhe mungesa e veprimit nuk janë zgjidhje. Punëtorët meritojnë përgjigje dhe paga”, tha ai.
I njëjti theksoi se sindikatat do të presin përgjigje dhe veprim deri të premten, dhe nëse kërkesat e punëtorëve nuk plotësohet, Rugova paralajmëroi për vazhdim të protestave që nga e hëna e ardhshme.

Lexo edhe:  Ky është i arrestuari për mashtrim me kamion në Gjakovë, u kap pas denoncimit të 58-vjeçarit