Grabitje në ‘Alba Petrol’ në Ferizaj, hajni nën kërcënimin e armës ia merr 500 euro punëtorit

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në pikën e ‘Alba Petrol’ në rrugën Bajram e Gursel Sylejmani në Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një person i maskuar, i cili ende nuk është identifikuar, ka arritur që nën kërcënimin e armës të marrë rreth 500 euro nga punëtori që gjendej afër pompës. Menjëherë pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar me shpejtësi nga mbrapa dhe nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore për zbulimin e identitetit të të dyshuarit dhe arrestimin e tij.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  E turpshme: Mitrovicasi e rrah nënën për shkak pronës