Grabitet i riu te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, dy persona e kërcënojnë me armë dhe ia marrin telefonin

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.

Me një ngjarje të tillë është ballafaquar së fundmi edhe një i ri te tuneli te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur derisa viktima ishte duke ecur, kur papritur dy persona ia kanë zënë rrugën dhe nën kërcënimin e thikës dhe armës së zjarrit ia kanë marrë telefonin e qindra eurove.

Të dyshuarit kanë arritur të ikin pa lënë ndonjë gjurmë, kurse viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje se si ndodhi ngjarja.

Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do ndërmerren posa të zbulohen dhe të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Nesër i jepet lamtumira e fundit Ali Poterës, ish-luftëtarit të UÇK-së