Gjykimi i luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, vajza e viktimës tregon çka pa kur iu mor babai dhe kur u gjet i vrarë

Rreth 16-vjeçe kishte qenë Minire Përteshi, kur iu mor babai, Haxhiu, nga shtëpia. Pak ditë më vonë kufoma e Haxhi Përteshit u gjet skaj një rruge, në fshatin Duhël.

Mes replikave e kundërshtimeve të enjten e ka përfunduar dëshminë, Minire Përteshi. në Gjykatën e Prizrenit, ku për vrasjen e babait të saj në qershor të vitit 1998 po gjykohet ish-luftëtari i UÇK-së, Remzi Shala.

Shala po akuzohet se në qershor të viti 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe e kanë privuar nga liria.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Në rigjykim, Minire Përteshi përpara trupit gjykues deklaroi se natën kritike derisa kishin qenë në shtëpi kanë ardhur disa burra dhe e kanë marrë babanë e saj.

“Kam hëngër darkë dhe kam dalë jashtë që të luaj se kam qenë fëmijë, kam qenë rreth 15-16 vjeç. Vëllai Agroni ka qenë jashtë, dikush e ka kapur për dore, vetëm e kam parë shenjën e UÇK-së. Agroni ka ardhur deri te dera e shtëpisë dhe e ka thirrë babën. Baba ka qenë duke pirë çaj, dhe çajin e la në gjysmë dhe ka dalë te dyert e oborrit”-tha dëshmitarja.

Ajo pohoi se këta burra kanë folur shqip. Tregoi po ashtu se i ka dëgjuar kur kanë kërkuar një çakmak dhe cigare.

Minire Përteshi tutje ka thënë se te këta burra kishte parë emblemën e UÇK-së në krah.

Por kjo përgjigje ngjalli replika për çka Blerim Mazreku, avokat i të akuzuarit, ka ballafaquar dëshmitaren me deklaratën e saj kur ajo ka thënë se emblemën e ka parë në gjoks.

Lexo edhe:  Duriqi: Në momentin që kalohet Ura e Ibrit në veri, s’ka më shtet të Kosovës

“Ju thatë se emblemën e kanë pasur në krah, por në vitin 2017, keni thënë se emblemën e UÇK-së e kanë pasur në pjesën e përparme të majtë të gjoksit”. Tani cila është e vërteta?” -pyeti avokati Mazreku.

Dëshmitarja pohoi se emblema ka qenë në krah, ashtu siç deklaroi sot.

Në vijim ajo ka folur edhe për momentin kur në shtëpi kishte ardhur kufoma e Haxhi Përteshit.

“Kam dashur ta shoh kufomën por nëna dhe gjyshja nuk na kanë lënë. Nga dera kam parë kufomën e shtrirë por nga afër nuk na kanë lënë” – pohoi Përteshi.

Sipas dëshmitares, në trupin e të ndjerit kishte parë vetëm një gërvishtje, ndërkaq nëna dhe gjyshja i kanë thënë se babai ka vdekur vetë.

“Në trup e kam parë një gërvishtje të vogël por nëna dhe gjyshja na ka thënë se ai ka vdekur vetë dhe nuk na tha diçka keq, kam qenë e re dhe nuk ka dashur të na brengosë” – deklaroi dëshmitarja.

Dëshmia e dëshmitares përfundoi me vërejtje të dhëna nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit.

Blerim Mazreku tha se në deklarimin e dëshmitares ka mospërputhje në rrethana duke filluar nga prezenca apo mosprezenca e Agron Përteshit në natën kritike.

Avokati Mazreku u shpreh se dëshmia e kësaj dëshmitareje është në mëdyshje në mes asaj çfarë ka parë dhe çfarë i ka treguar Agroni.

“Dallime thelbësore mes asaj që ka parë dhe dëgjuar vetë apo i ka treguar Agroni. Përveç këtyre dallimeve sa i përket rrethanave janë në kundërshtim të plotë me atë që ka deklaruar dëshmitari-i dëmtuari Agron. Për këto do t’i sqaroj në fjalën përfundimtare” – tha avokati Blerim Mazreku.

Lexo edhe:  Arrestohen për korrupsion dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale

Avokati Mazreku paraqiti vërejtje edhe ndaj përfaqësuesit të palës së dëmtuar. Sipas tij, ka pasur momente kur ka pasur ndërhyrje në dhënie te deklaratës.

“Sa herë pyetjet nuk i kanë pëlqyer, përfaqësuesi i palës së dëmtuar ka reaguar. Madje jemi edhe në një seancë me video- incizim ku u dëgjua se dëshmitares iu tha nga të dëmtuarit “mbylle gojën”, e kjo vetëm e vetëm të mos flasë e të zbardhet e vërteta” – përfundoi avokati.

Seanca e radhës për këtë rast do të bahet më 21 tetor 2022, ku mbrojtjen do ta japë i akuzuari Remzi Shala.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vite burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vite burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në rigjykim. / KALLXO.com