Gjykata merr vendim për zyrtarët doganorë dhe policin që u arrestuan dje në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak tetë doganierëve dhe një zyrtari policor që u arrestuan dje në veri të vendit.

Sipas njoftimit të gjykatës, Prokuroria ka kërkuar që të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit. Kështu raportoi edhe më herët Insajderi për të dyshuarit.

Insajderi mëson se 9 zyrtarët e arrestuar janë: Verograd Miletic, Admir Sejdiu, Andrija Çavic, Mirko Jevtic,Tomislav Dimic, Mensur Stagova, Nenad Mitic, Granit Zymberi dhe Arben Aliu.

Tetë nga ta janë zyrtarë doganorë, ndërsa njëri nga ta është polic.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për ta?

Sipas dosjes së Prokurorisë që ka siguruar Insajderi, Verograd Mileticsi person zyrtar në cilësinë e Zyrtarit Doganor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për personat e tjerë, e informon të dyshuarin Mirko Jevtic se kur ka kontroll në pjesën veriore nga zyrtarët doganor dhe se me çfarë automjete do jenë zyrtarët doganor, kohën kur do të fillon kontrolli në pjesën veriore, për kohën kur i pandehuri është në ndërrim me qëllim që i dyshuari mund të kontrabandoj mallra pa pengesë.

Ndërkaq, të pandehurit Admir Sejdiu dhe Andrija Çavic, zyrtarë në cilësinë e Zyrtareve Doganor, kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë menyrë që me qëllim të përfitimit të dobisë për veti dhe për personat e tjerë kanë bërë marrëveshje me personat e caktuar të cilët marrin mito nga kontrabanduesit e pjesës së veriut në baza mujore për personat e lartcekur, me qellim që grupet e caktuara që merren me kontrabandim të mallit të mos pengohen nga zyrtarët doganor gjatë kontrabandimit.

Siç vijon dosja, gjatë periudhës shkurt – korrik 2022, i pandehuri Mirko Jevtic, në cilësi të zyrtarit doganor – zyrtarit përgjegjës për depo doganore në Mitrovicë të Jugut, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete dhe për personat e tjerë, ka lejuar që të dalin në qarkullim të lirë mallra të sekuestruara nga Dogana si dhe nuk i ka asgjësuar mallrat të cilat është dashur të asgjësohen sipas procedurave, por i ka përvetësuar ato duke i dërguar në shtëpi të tij, e që pastaj t’i shes apo t’i përdorë për vete.

Në dosje tutje thuhet se gjatë muajit tetor të vitit 2021, të pandehurit Tomislav DimičMensur Stagova dhe Vladan Ljubič, në vendin e quajtur Hani Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të maunave tek Evidenca Paraprake (EP) në zyrat (afër kalimit të automjeteve), aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim, varësisht prej pozitave të tyre zyrtare, si persona Zyrtarë Doganor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar mjetet monetare nga vozitësit e kompanive të ndryshme të cilët iu kanë shmangur kontrollit të rregullt doganor, mbi 57 (pesëdhjetë e shtatë) raste të veçanta, duke i numëruar dhe ndarë në mes vete.

Po ashtu, gjatë muajit tetor të vitit 2021, të pandehurit Nenad Mitič dhe Granit Zymberinë vendin e quajtur Hani Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të maunave tek Evidenca Paraprake (EP) në zyrat (afër kalimit të automjeteve), aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim me njëri tjetrin, varësisht prej pozitave të tyre zyrtare, si persona Zyrtarë Doganor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar mjete monetare nga vozitësit e kompanive të ndryshme, ku këto mjete i kanë vendosur në një dollap, po ashtu kanë vërejtur kamerat e vendosura nën monitorimin dhe kanë bërë çmontimin e tyre duke i bërë jo aktive.

Zyrtari policor Arben Aliu dhe zyrtari doganor Tomislav Dimic dyshohet se kanë pranuar para të mbështjellura me foli, në zyrat ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë në Han të Elezit.

Lexo edhe:  Vdes aktorja e njohur kosovare

Në vendin e quajtur Hani i Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të makinave tek Evidenca Paraprake, në zyrat aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë pranuar mjete monetare të mbështjella me foli, ku më pas këto mjete i kanë ndarë me njëri tjetrin“, thuhet në dosjen e Prokurorisë.