Gjakovë: Gruaja raporton në Polici se i kanë humbur unazat në vlerë të 20 mijë eurove duke bërë ‘shopping’

Vjedhjet në lokale e qendra tregtare nuk janë të rralla në vendin tonë. Numri i madh i njerëzve e turmat shpesh ua mundësojnë hajnave të kapin gjesende me vlerë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë, në rrugën “Tirana” në Gjakovë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një grua e moshës 33-vjeçare ka raportuar në Polici se i kanë humbur disa unaza që kapin vlerën e rreth 20 mijë eurove.

Bazuar në dëshminë e saj, të dhënë para hetusve, rasti ka ndodhur derisa ajo po bënte shopping në qendrën tregtare “Nertili”.

Në momentin që e ka vërejtur se stolitë që i kishte në xhep nuk i ka më, gruaja e ka njoftuar Policinë për ta raportuar rastin.

Si rezultat, edhe Prokuroria është vënë në dijeni, me ç’rast kanë nisur hetimet për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.

Lexo edhe:  “Mos ma leni në shoqëri të keqe”: Mavraj e takon Endritin, tregon mesazhin që ia kishte dhënë Hashim Thaçi në Hagë