Gjakovari që theu rregullat në trafik kërcënon zyrtarin policor, përfundon prapa grilave

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

E ndër arsyet më të shpeshta, janë edhe pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave pas thyerjes së rregullave në trafik.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi 32-vjeçari ka bërë një shkelje në komunikacion, e më pas ka refuzuar që të jetë bashkëpunues me Policinë.

Për shkak të sjelljeve të tij agresive dhe refuzimit për dhënien e dokumenteve, ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

Lexo edhe:  “Kurdo që je vetë, kom me t’marrë” - Detaje nga sulmi seksual ndaj 12-vjeçares në Gjakovë