Gjakovari denoncon kushëririn e tij në Polici, thotë se po e pren pyllin e familjarëve

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë duke u nevojitur medoemos ndërhyrja e organeve të rendit, raporton Gazeta Sinjali.

Në telashe për pronë janë edhe dy kushërinj në Gjakovë, ku njëri prej tyre ka denoncuar djalin e xhaxhait se po pret drunjtë që ndodhen në pyllin e familjarëve.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e denoncuesit, hapësira ku i dyshuari ka prerë drunjtë, është në kontest pronësor. I njëjti ka pohuar se kushëriri i tij posedon edhe një armë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili ka pranuar se ka prerë drunjtë në fjalë, por që sipas tij, kjo është për nevoja personale dhe për këtë e ka pëlqimin e familjarëve.

43-vjeçari ka dorëzuar armën ilegale të cilën e posedon dhe me vendim të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Shkatërrimi i pyjeve’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  E paprecedent: Gjinekologia private hyn pa leje në Spitalin e Prizrenit dhe kryen lindjen e pacientes