Fondacioni “Behgjet Pacolli” fillon ndërtimin e 10 shtëpive për familjet e prekura nga vërshimet

Deputeti Behgjet Pacolli ka njoftuar se fondacioni i tij ka filluar ndërtimi e 10 shtëpive në Skenderaj dhe Mitrovicë për familjet e prekurave nga vërshimet.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këto dy komuna ka filluar edhe rinovimi i 10 shtëpive tjera.

Pacolli ka paralajmëruar se shumë shpejt do të fillon edhe ndërtimi i disa shtëpive nëpër komunat tjera, të cilat janë prekur nga vërshimet në fillim të këtij viti.

“Fondacioni “Behgjet Pacolli” dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit” në krye me Halil Kastratin kanë filluar ndërtimin e shtëpive në Skenderaj dhe Mitrovicë për familjet e prekura nga vërshimet e janarit. Fillimisht ka filluar ndërtimi i 10 shtëpive të reja dhe rinovimin i 10 të tjerave që u dëmtuan pjesërisht nga përmbytjet. Së shpejti do të fillojë ndërtimi i shtëpive të tjera në komunat tjera”, ka shkruar Pacolli.

I pari i AKR-së ka falënderuar të gjithë donatorët e fondacionit.

“Falenderojmë të gjithë donatorët tanë të përhershëm të dy fondacioneve që ishin të gatshëm të kontribuojnë në këtë nismë fisnike. Fondacioni “Behgjet Pacolli” dhe shoqata “Jetimat e Ballkanit” së shpejti do të organizojnë një takim falënderues me donatorët që i janë bashkuar nismës pa hezitim”, ka shkruar ai.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim