“Fluturon” çmimi i vezëve në Kosovë, shkon mbi 4 euro

Situata me rritjen e çmimeve po rendohet në Kosovë. Në prag të festave të fundivit disa artikuj veç janë shtrenjtuar. Rritje ekstreme të çmimit është vërejtur tek vezët, të cilat kanë shkuar në 4.49 euro.

Shtrenjtimi i vezëve në Kosovë nuk ka të ndalur. Rritja më e madhe e çmimit është vërejtur në ditët e fundit të këtij muaji.

Një komplet me vezë nëpër markete në Prishtinë aktualisht po tregtohet me 4 euro e 49 centë, njëherit çmimi më i lartë i arritur për këtë produkt prej se ka filluar shtrenjtimi i çmimeve.

Sipas çmimores së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm dy ditë më herët, një komplet me vezë është shitur për 4 euro e 29 centë.

Rritje e çmimit këtë javë është vërejtur edhe tek disa artikuj të tjerë, por sipas përditësimit më të fundit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike, vërehet se lëvizja më e madhe e çmimit këto ditë e është shënuar vetëm tek vezët.

Agjencia e Statistikave në publikimet mujore gjatë këtij viti çdo herë ka treguar se çmimet për produktet bazike ushqimore në Kosovë kanë shënuar rritje të madhe. Kurse, inflacioni ka shkuar në 14 për qind.

Lexo edhe:  Gruaja në Prishtinë e rrah burrin e saj në sy të fëmijëve, ai e denoncon në Polici