Ferizaj: Policia e gjen një grua me shenja dhune në banesën e saj, s’lejon t’ia arrestojnë burrin – përdoret sprej

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i dhunës, po jo fort i zakonshëm ka ndodhur të hënën në një banesë në Ferizaj, ku Policia ka intervenuar pasi dikush ka denoncuar se po dëgjohen zhurma e britma.

Me të dalë në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një grua me shenja dhune në trup, e cila fillimisht ka tentuar që të mos e bëjë të madhe atë që kishte ndodhur, duke e quajtur vetëm si mosmarrëveshje me burrin me të cilin bashkëjeton.

Por për shkak të situatës, Policia ka urdhëruar shoqërimin e të dy palëve, por burri i dyshuar ka rezistuar, me ç’rast situata ka eskaluar, derisa Policia është detyruar që ta arrestojë. Për të mos mbaruar me kaq, policët janë përballur edhe me sulmin nga gruaja, e cila i ka penguar, derisa janë detyruar që të përdorin sprej për ta vënën situatën nën kontroll.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë për veprat për të cilat dyshohen secili veç e veç.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet ndaj tyre për t’i zbardhur rrethanat e rastit që ka ndodhur.

Lexo edhe:  Veprimi i çuditshëm i Borell-it, i vendos dy ora në tavolinë para Kurtit e Vuçiqit