Familjarët nuk duan obduksion për pacientin që vdiq, pak orë pasi operacioni u konsiderua i “suksesshëm”
Trupi i pacientit 63-vjeçar, me iniciale E.M. që vdiq në Klinikën e Kardiokirurgjigjisë pasi u konstatua nga mjeku se operacioni ndaj tij përfundoi me sukses, është tërhequr nga spitali nga familjarët e tij për ceremoni të varrimit.
Ky veprim i familjarëve vjen edhe përkundër që Prokuroria i ka nisur hetimet për rastin.
Klan Kosova mëson se trupi i të ndjerit nuk ka shkuar fare në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa është tërhequr rreth 2 orë pas vdekjes, që konsiderohet procedurë normale në raste të tilla, derisa të përfundojë dokumentacioni spitalor për lëshim të trupit të pajetë.
Familja, siç mësohet, nuk ka ngritur dyshime për vdekjen e tij, prandaj edhe nuk ka kërkuar që trupi të shkojë në IML për ekzaminime të mëtejme, raporton Klankosova.tv.
Megjithatë, meqë hetimet kanë filluar, trupi i viktimës edhe mund të zhvarroset për t’iu nënshtruar autopsisë.
Për këtë rast u raportua ditën e djeshme, ku fillimisht u akuzua mjeku kujdestar, Kushtrim Shala, nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.
“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetentë për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, kishte thënë Brahimaj.
E ndaj kësaj deklarate reagoi Kardiologu, Gani Bajraktari, duke thënë se deklaratat e Brahimajt janë jo-etike dhe se është vetë ai që sipas tij, ua ka dhënë detyrë atyre mjekëve të operojnë rastet urgjente.
“Mirë more derëzi, po nëse paskan qenë të papërvojë, pse i fute në kujdestari për raste urgjente?? Po nëse kanë bërë shkelje profesionale, pse nuk i dërgon në Këshill Etik, po iu flet mediave? Pse e dëmton kaq rëndë shtëpinë tënde? Gabim i madh Rifat! Gabimin më të madh se tëndin, mund të bëjnë vetëm drejtoresha e SHSKUK, nëse nesër nuk të shkarkon, dhe Prokurori i Odës së Mjekëve nëse nesër nuk fillon hetimet ndaj teje! Prandaj unë sonte dua të quhem Kushtrim, ndërsa emrin që në asnjë rrethanë nuk do të doja ta kisha sonte është emri Rifat”, është shprehur Bajraktari, përcjell Klankosova.tv.
Krejt në fund, me një reagim doli edhe mjeku i cili kreu intervenimin, Kushtrim Shala, i cili tha se Brahimaj reagimin e ka bërë pa kontaktuar me të dhe sipas tij, ky i fundit ka qenë në pushim vjetor.
“Pasi nuk mu dha mundësia që të bëj diskutim në kolegjiume profesionale që rëndom bëhen në çdo qendër të mirëfilltë kardiokirurgjike, po ju drejtohem edhe unë mediave në cilësinë e Kardiokirurgut operator dhe njëherit kujdestar në kardiokirurgji me daten 03.01.2023. Për dallim nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj i cili pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë t’a bëj në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet per operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor”, ka shkruar ai ndër të tjera.