Familja në aheng, hajnat hyjnë në shtëpitë e dy vëllezërve në Gjakovë dhe vjedhin arin në vlerë prej 11 mijë euro

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e kanë pësuar edhe dy vëllezër Ndau në Pjetërshan të Gjakovës, të shtunën mbrëma. Hajnat kanë hyrë në shtëpitë e tyre, ku brenda pak minutave kanë vjedhur stoli ari në vlerë të madhe.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se dy vëllezërit kanë denoncuar në Polici se hajnat kanë vjedhur nga shtëpitë e tyre rreth 11 mijë euro, stoli ari që kanë qenë të fshehura në shtëpitë e tyre.

Sipas deklaratave të tyre, të dhëna para hetuesve policorë me rastin e denoncimit të rasteve, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, gjatë kohës kur familja ka qenë në një aheng, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga hajnat.

Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Lexo edhe:  100 euro për studentët, vjen lajmi i fundit nga Qeveria