Eskalon në fjalor Dimali i VV’së, e quan ‘matrapaz’ komandantin e Koshares

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka komentuar kritikën e deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, në seancën e së enjtes në Kuvend, i cili tha se partia në pushtet qëllimshëm nuk po e zbardh rastin e vdekjes së ish-aktivistit, Astrit Dehari.

Madje, Basha e quajti Berishën matrapaz.

“S’po di fjalën më të butë me përdor për deputetin që del edhe i thotë ato fjalë të rënda. Pa desht me hy, se edhe vetë i ati i të ndjerit është deputet, jemi kolegë aty, dhe u çua e iku prej aty. Tash unë çka me komentu kur vetë babai i Astrit Deharit del prej seancës, e lëshon seancën se s’mund e duron një matrapaz si ai që del fol në emër të Astritit ashtu edhe me ato akuza të rënda”, deklaroi Basha “Ditari” në Tëvë 1.

Në seancën e së enjtes, deputeti Berisha tha se rastet e tilla janë përdor nga LVV-ja për përfitime politike derisa shtoi se është interes i tyre që këto raste të mos zbardhen.

Pak kohë pas fjalimit të Berishës, deputeti i LVV-së, njëherit babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, doli nga salla. I pyetur për deklaratat e Berishës, Dehari ka bërë të ditur se rasti i vdekjes së të birit të tij po shfrytëzohet, teksa shtoi se “korbat në stërvinë” askush nuk mund t’i ndalë.

Lexo edhe:  Në Arabinë Saudite pas 70 vjetësh do të hapet një dyqan për shitjen e alkoolit