Ëndrra për Gjermaninë, gati 10 mijë qytetarë u pajisën me viza pune gjatë 2022-ës

Fillimi i çdo muaji e gjen një 26-vjeçar nga Suhareka në ueb-faqen e Ambasadës së Gjermanisë, duke aplikuar për vizë pune. Këtë procedurë ai e ka ndjekur që 20 muaj, por… pa fat.

“Jo vetëm që bëhet bajat, por nganjëherë edhe harroj të aplikoj [ditën e parë]. Pastaj, të bëhet rutinë. Janë datat e caktuara kur duhet të aplikosh dhe e kryen”, thotë ai.

Dikur në dy javët e para të çdo muaji – sa është thirrja e hapur për aplikim – ai thotë se i dedikon rreth 15 minuta kohë për ta kryer aplikimin.

Ai nuk dëshiron të identifikohet me emër, pasi që është i punësuar në Kosovë, por thotë se edhe pse 20 aplikimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses, ai do të vazhdojë të aplikojë.

“Nuk të dekurajon [mungesa e suksesit në aplikim] sepse… thjesht e provon fatin”, shprehet ai.

Që nga janari i vitit 2021, kosovarët – bashkë me fqinjët e tyre në Ballkanin Perëndimor – fituan “qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës”, siç thuhet në ueb-faqen e Ambasadës gjermane. Kjo, pasi që në Gjermani hyri në fuqi “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor”, përmes së cilës, qytetarët e vendeve të këtij rajoni mund të aplikojnë për vizë pune, pavarësisht kualifikimit të tyre profesional.

Fillimisht, terminët për vizë pune i fitonte kushdo që arrinte të regjistrohej i pari, por më vonë mënyra e përcaktimit të terminëve ndryshoi, duke u bërë përmes tërheqjes së shortit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë në Berlin.

Radio Evropa e Lirë pyeti në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë se sa është numri i kërkesave që parashtrohen për të rezervuar termin për vizë pune brenda muajit, por iu tha se statistika të tilla nuk mbahen. Megjithatë, siç merr vesh REL-i, brenda vitit në dispozicion janë 5.500 vende.

Lexo edhe:  SBASHK: Mësimdhënësit shfrytëzojnë pushimin pa pagesë për të shkuar jashtë vendit

Në ueb-faqen e Ambasadës gjermane në Prishtinë thuhet se mënyra e përcaktimit të terminëve u zëvendësua me procedurën e tërheqjes së shortit, “për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të terminëve, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion”.

E, përderisa djaloshi nga Suhareka thotë se është i rrethuar nga shumë shokë e shoqe që kanë kaluar nëpër faza të ngjashme si ai, disa të tjerë kanë pasur më shumë fat në tërheqjen e shortit.

Në vitet e fundit, mijëra kosovarë kanë marrë viza pune për në Gjermani. Vetëm vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë është rritur për 110 për qind, në krahasim me vitin paraprak.