Edhe burrat përjetojnë dhunë: Por përse nuk e raportojnë

Të paktën janë 295 meshkuj që kanë përjetuar dhunë në familje deri në qershorin e këtij viti. Kosova nuk ka një qendër strehimore për burrat që përjetojnë dhunë, megjithatë premtimet e institucioneve janë se kjo do të ndryshojë. Ministria e Drejtësisë konfirmoi për KosovaPress se Komuna e Prishtinës është në kërkim të një lokacioni për ndërtimin e kësaj qendre por pa dhënë një afat se kur mund të jetë gati.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj), Bexhet Shala, deklaroi për KosovaPress se numri real i burrave që pësojnë dhunë është shumë më i madh, po sipas tij, për shkak të krenarisë ata “nuk japin deklarata ose e paraqesin rastin vetëm gojarisht”.

“Realisht numri i atyre të cilët pësojnë dhunë nga femrat ndaj burrave, zyrtarisht është i ulët, është një numër i pa përfillshim dhe ndoshta kjo ka ndikuar që ata as nuk kanë kërkuar strehim por as ata të cilët kanë përgjegjësi për strehimin e tyre, nuk kanë marrë këtë çështje seriozisht. Në anën tjetër, numri real i masës që pësojnë dhunë nga femrat është shumë më i madh, mirëpo ata për shkak të krenarisë, nuk japin deklarata ose e paraqesin rastin vetëm gojarisht, por kur ne i themi si Këshill, është procedura që duhet të japin deklaratën me shkrim për ta vazhduar, ata nuk pranojnë të japin deklarata me shkrim dhe për këtë arsye numri i tyre është i vogël”, tha Shala.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2022 janë raportuar 2764 raste të dhunës në familje, ku prej tyre 2294 kanë qenë viktima femra, ndërsa 523 meshkuj. Ndërsa për këtë vit, gjatë periudhës janar-qershor, janë raportuar 1268 raste te dhunës në familje, ku nga këto raste viktima kanë qenë 1324, viktima femra 1029 raste dhe viktima meshkuj 295.

Lexo edhe:  Fushë Kosovë: 25-vjeçari e bën bashkëshorten për spital, përfundon në pranga të Policisë

Gratë të cilat përjetojnë dhunë, bashkë me fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeçare, mund të qëndrojnë në njërën nga tetë strehimoret të cilat gjenden në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren, Mitrovicë Jugore dhe Novobërdë.