E ‘tradhtoi’ baxhanakun, Gjykata e dënon avokatin Gutaj për keqpërdorim të besimit

Avokati nga Prizreni, Esat Gutaj, vite më parë ra ndesh me ligjin, për çka u shpall fajtor dhe u dënua. Për disa seanca me radhë, ai përfundoi në Gjykatë, jo si mbrojtës, por në cilësinë e të akuzuarit. Ndaj tij, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”, për të cilën më pas u shpall fajtor dhe u dënua me burgim efektiv, që më pas u zëvendësua me gjobë. Njëri nga të dëmtuarit në rastin për të cilin ai akuzohej, ka lidhje familjare me avokatin Gutaj, raporton Gazeta Sinjali.  

Gutaj u shpall fajtor pasi akuzohej se në vitin 2018, dy personave, iu ka shkaktuar dëme në vlerë të mbi 4 mijë eurove, me arsyetimin se paratë i takonin atij, të holla këto që pala që e kishte autorizuar i kishte fituar nga një kontest civil.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se njëri nga të dëmtuarit është bashkëshorti i motrës së gruas së Gutajt, pra baxhanaku i tij, mjetet e të cilit i ka deponuar në llogarinë e tij personale, pa asnjë autorizim.

Më datë 04.12.2018, gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat. pasurore të dëmtuarve I.H., dhe F.S:, i pandehuri i keqpërdor autorizimet me qëllim që vehtes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, duke iu shkaktuar të dëmtuarve I.H., dhe F.S., dëme në shumë totale prej 4,037.60 euro, të cilët i ka përfaqësuar në procedurën kontestimore C.nr……… dhe përmbarimore me numër P.nr………, për të cilat nuk ka pas autorizim që të ndërmerr veprime procedurale, që në emër të dëmtuarve t’i deponoj mjetet në llogarinë e tij personale.”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Akuza që i është vënë në barrë, është pranuar nga vet avokati Gutaj, i cili në fjalën përfundimtare e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.

Lexo edhe:  Biznesmenit i vendoset granatë në veturë në Hajvi, publikohet fotografia e tij

Gutaj e kishte deklaruar se fajësinë e ka pranuar, pasi siç ka pretenduar ai, ka qenë i sigurt se paratë që janë fituar nga ai rast i kanë takuar atij.

“I akuzuari edhe në fjalën përfundimtare ka deklaruar se në bazë të veprimeve që i ka bërë nuk mund ta mohoj që nuk e ka tërhequr shumën e të hollave nga pala kundërshtare që e ka humbur kontestin civil, në të cilin ka qenë i autorizuari i tetë personave, se kontestin civil e ka fituar dhe ka qenë i bindur se ato mjete i kanë takuar atij, andaj meqenëse palëve të cilët i ka përfaqësuar ia ka kthyer shumën prej 4.500 €, provën e së cilës e ka dorëzuar edhe pala e dëmtuar, nga kjo rrethanë dhe për ta mbyllur këtë çështje, ka deklaruar që për këto arsye e pranon fajësinë.”, thuhet tutje në vendimin e siguruar nga Sinjali.

Por kjo bindje e Gutajt, “erdhi më vonë”, pasi fillimisht në seancën e shqyrtimit, ai nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën ishte ngritur aktakuza ndaj tij.

“Gjykata duke vepruar në këtë çështje penale, me datë 06.09.2022, ka mbajtur seancën e shqyrtimit gjyqësor, në të cilën në fjalën hyrëse është lexuar aktakuza nga ana e Prokurorit të Shtetit, ku pas kësaj i akuzuari ka deklaruar që nuk e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë sipas aktakuzës së lartcekur.

Andaj, Gjykata ka vazhduar me procedurën e provave, në të cilën gjatë deklarimit të të akuzuarit, i njëjti ka thenë që ia ka kompensuar dëmin të dëmtuarit dhe nga kjo rrethanë dhe për ta mbyllur çështjen, e pranon fajësinë për veprën e cila i ngarkohet sipas aktakuzës së lartëcekur.

Prokurori i Shtetit ka deklaruar që nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, por duke pasur parasysh deklaratën e të dëmtuarit si dhe mbrojtëses së të dëmtuarit, e posaçërisht rrethana tjera si kompensimi, i ka propozuar gjyqtarit gjykues që me rastin e caktimit, lartësisë dhe llojit të dënimit, të ketë parasysh të gjitha rrethana lehtësuese të parapara me nenin 72 të KPRK-së.”.

Gutaj ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, i cili dënim, me pëlqimin e të akuzuarit gjykata e ka zëvendësuar me dyqind (200 euro gjobë).

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Komoran

Gazeta Sinjali e ka kontaktuar edhe Gutajn, për të marrë një deklaratë për rastin.

Lidhjen e tij familjare me të dëmtuarin, e ka pranuar edhe vetë ai, i cili tha se mund të deklarohet më shumë për rastin, por një gjë të tillë nuk e bën përmes telefonit.

Po, baxhanak i jemi është, gratë i kemi motra.

Me t’i tregu historitë osht e çka osht.. unë kom deshtë mi rujtë raportet familjare se përndryshe aty nuk ka pasë…po çka po iu intereson.

Unë e kam paditë për kompensim, hajdeni në zyre edhe jeni ma korrekt.

S’është veç puna e aktgjykimit…”, tha Gutaj për Sinjalin.