E tmerrshme: Ish bashkëshorti e dhunon seksualisht gruan në Vushtrri, e kërcënon me armë dhe e rrah

Foto ilustruese

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por nuk janë të rralla as rastet kur të dyshuarit janë persona që kanë lidhje me viktimën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tmerrshëm dyshohet se ka ndodhur në Vushtrri, ku një person ka dhunuar seksualisht ish bashkëshorten e tij.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, të cilët njoftojnë se viktima ka kërkuar ndihmën e organeve të rendit, ku ka raportuar se ish bashkëshorti i saj e ka detyruar të kryejë marrëdhënie pa dëshirën e saj.

I dyshuari po ashtu dyshohet se ka kërcënuar viktimën me armë dhe të njëjtën e ka dhunuar edhe fizikisht.

“Ankuesja femër kosovare ka njoftuar policinë se nën kërcënimin e armës është rrahur dhe detyruar të kryej marrëdhënie seksuale nga ish-bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

Lexo edhe:  Zhduket një vajzë e mitur në Drenas