E shiti veturën e më pas lajmëroi rrejshëm se ia vodhën, arrestohet në kufi shtetasi i Shqipërisë

Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla dhe shpesh motivet lidhen me synimin për të përfituar duke mashtruar.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Gjilan, ku është përfshirë një shtetas i Shqipërisë, i cili kishte kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës pasi kishte deklaruar se ia kanë vjedhur veturën.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është zbuluar se 35-vjeçari e kishte shitur veturën me dëshirën e tij dhe më pas kishte lajmëruar rrejshëm në Polici.

Si rrjedhojë ndaj tij kanë nisur hetimet për kryerjen e veprës penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’ dhe i njëjti është shpallur në kërkim policor, pasi nuk është paraqitur asnjëherë në stacion policor pavarësisht thirrjeve.

Ai është arritur që të arrestohet gjatë kalimit të pikës kufitare në Vërmicë, ku ka rezultuar se është në kërkim nga autoritetet e rendit dhe sigurisë.

35-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

 

Lexo edhe:  Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, pamje nga vendi i ngjarjes