E rëndë: Shkon në 50 numri i personave që u helmuan nga tostat në Mitrovicë
Rreth 50 persona, kryesisht nxënës kanë kërkuar ndihmë për trajtim sot në Spitalin e Mitrovicës, pas helmimit që ndodhi në një lokal ‘fast food’. Dy prej tyre janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK.
Rreth 50 persona shumica e të cilëve nxënës, kanë kërkuar ndihmë gjatë të shtunës në Spitalin e Mitrovicës me simptoma të helmimit.
Me vjellje, barkqitje, dhimbje barku e temperaturë, pacientët dyshohet se janë helmuar në një lokal ‘fast food’ në Mitrovicë. Dy prej tyre po trajtohen në Klinikën Infektive.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Dr. Arben Vishaj dhe mjekja kujdestare Dr. Arjeta Zogaj-Berisha. Kjo e fundit ka thënë se pacientët janë në gjendje stabile.
Gazeta ka tentuar të marr më shumë informacione për gjendjen e të helmuarve në Spitalin e Mitrovicës, por drejtoresha Luljeta Zhubi, e cila sot është në listën e mjekëve kujdestar, nuk është përgjigjur në numrin e saj të telefonit.
Rastin e helmimit të qytetarëve ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Raportohet se 10 nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës pasi që, janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një lokal. Të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar, ndërsa lokali është mbyllur nga inspektorët komunal”, thuhet në raport.
Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka mbyllur lokalin e ushqimeve të shpejta “On Top Food” në Mitrovicë, pasi aty dyshohet se në total janë helmuar 30 persona.