E rëndë: Ky është 45-vjeçari që vdiq në Spitalin e Gjakovës, familja dyshon se nuk e mori trajtimin e duhur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Gjakovë, ku një person ka ndërruar jetë në spitalin rajonal “Isa Grezda”.
Ai po trajtohej prej disa ditësh në spitalin e Gjakovës, ndërsa familjarët e viktimës dyshojnë se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e mos trajtimit të duhur nga stafi mjekësor i spitalit.
Sinjali mëson se viktima është 45-vjeçari, Alajdin Olloni, i cili ka qenë pjesëtar i ekipit të zjarrfikësve të Gjakovës.
Sipas informacioneve të para, viktima ishte duke u trajtuar që nga muaji nëntor në spitalin e Gjakovës, ndërsa dje ka ndërruar jetë.
Pas dyshimeve të ngritura nga familjarët se vdekja e tij ka ardhur për shkak të mos trajtimit adekuat mjekësor, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit, hetimet për këtë ngjarje kanë filluar dhe rasti është cilësuar si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe hetim i vdekjes”.