E rëndë: Gruaja që vdiq në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit e humbi kontrollin dhe ra me veturë në humnerë

Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën magjistrale Kaçakanik – Hani i Elezit, ku për pasojë një grua humbi jetën. Viktima u vetaksidentua pasi humbi kontrollin dhe ra në humnerë për disa metra, raporton Gazeta Sinjali.

Viktima, e moshës madhore humbi jetën në vendin e ngjarjes, ku edhe u konstatua vdekja nga ekipi mjekësor.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj.

“Ju njoftojmë se me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani Elezit, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshmë” , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku është përfshirë një veturë. Ekipe të policisë, zjarrëfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para mësohet se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në magjistralen Kaçanik – Hani Elezit, në rrethana ende të pasqaruara ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë në humnerë disa metra .

Si pasojë e këtij aksidenti një person e gjinisë femër, e moshës madhore ka humbur jetën, vdekja e së cilës është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve, e cila po e heton rastin Për të gjitha veprimet e policisë është njoftuar prokurori i shtetit. Për informata shtesë do të njoftoheni me kohë.”

Lexo edhe:  Aksident në Fushë Kosovë, një person shihet i shtrirë në rrugë