E mitura nga Drenasi ikë nga shtëpia e saj, gjendet duke bashkëjetuar me një person të rritur në Lipjan
Bashkëjetesa me vajza të mitura është shndërruar në dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku shpesh raportohen raste kur vajzat e moshave të vogla krijojnë raporte të afërta me persona të moshave madhore.
Kështu ka ndodhur së fundi në fshatin Baicë të Drenasit, ku një vajzë e mitur është larguar nga shtëpia e saj, pa dijeninë e familjes.
Sinjali mëson se kjo ka alarmuar babain e saj dhe ka aktivizuar Policinë që të nisin kërkimet për 16-vjeçaren, e cila sipas prindit, kishte shkuar të një person i rritur në Lipjan.
Bazuar në dëshminë e babait të viktimës, vajza e tij është njoftuar me të dyshuarin përmes rrjeteve sociale dhe më pas ka shkuar që të jetojë në shtëpinë e tij.
Njësitë policore kanë shoqëruar në Polici vajzën e mitur dhe 22-vjeçarin, të cilët kanë deklaruar se janë duke bashkëjetuar tash e tri javë dhe sipas tyre, janë fejuar me pëlqimin e të dyja familjeve.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Bashkëjetesë jashtëmartesore me persona nën moshën 16-vjeçare’, ndërsa e mitura është dërguar në strehimore.