E mbushi veturën me naftë me 50-she false në ‘Veda Petrol’ në Pejë dhe iku, kompania denoncon klientin

Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në tregun e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi edhe në kompaninë e derivateve “Veda Petrol” në Pejë, ku një klient e ka mbushur veturën me naftë dhe ka bërë pagesën me një kartëmonedhë prej 50 euros, që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Sinjali mëson se rasti është raportuar dje në Polici nga një punëtor, i cili ka dhënë disa detaje se si kishte ndodhur rasti të dielën në mbrëmje.

Pasi është njoftuar Policia e Kosovës, janë ndërmarrë veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, teksa kartëmonedha është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Falsifikim i parasë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  Familjes së Afrim Bunjakut i dhurohen 9.200 dollarë