“E kush jam unë e merr vesh kur dalim jashtë”, Plas sherri në Qeveri, përgjegjësi për komunikim dyshohet se u kërcënua nga drejtori i Prokurimit

Zyrtari përgjegjës për komunikim me publikun në Qeverinë e Kosovës, Flamur Salihu dyshohet se është kërcënuar sot në objektin e Qeverisë, në orët e pasdites.

Burime nga Qeveria kanë bërë të ditur për Sinjalin se i dyshuar për kërcënimin e Salihut është drejtori i Zyrës së Prokurimit, Isa Hajdari.

Sherri mes tyre plasi gjatë një takimi që dyshja kishin në objektin e Qeverisë dhe eskaloi me kanosje serioze nga i dyshuari Hajdari, për çka tashmë Prokuroria është vënë në dijeni dhe ka nisur hetimet, shkruan Sinjali.

Konflikti verbal mes tyre dyshohet se ka nisur në lidhje me një kontratë ku gjatë debatit, Hajdari dyshohet se i është drejtuar Salihut me fjalët “E sheh kush jom unë, del najherë prej ktuhit, mos ke merak, shihemi jashtë”.

Të njëjtat burime thonë se përballë kësaj situate, Salihu ka vendosur që ta njoftojë Policinë, duke e denoncuar kolegun e tij.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka intervistuar drejtorin e Prokurimit, Isa Hajdari i cili është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas dhënies së deklaratës, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar lirimin e Hajdarit dhe inicimin e rastit ndaj tij si “kanosje”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ngjarje e frikshme në Malishevë: 14-vjeçari ia drejton armën moshatarit të tij në afërsi të shkollës