E kontrolloi dhe e shau të moshuarin, ky është personi që u prezantua rrejshëm si inspektor i Policisë në Skenderaj
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarë të shumtë prezantohen rrejshëm si zyrtarë, me qëllimin për të qëruar hesape, për të përfituar apo për të dalë nga telashet në të cilat futen e motive të tjera. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të dielën në Skenderaj.
Këtë herë, një person nën ndikimin e alkoolit i ishte prezantuar një të moshuari si inspektor i Policisë, teksa ndodheshin në një lokal.
Sinjali mëson se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë për këtë rast është Xhevat Dobra, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Në bazë të informacioneve të para, viktima ka qenë i ulur në një lokal, kur i dyshuari papritmas i shkon afër, i thotë se është person zyrtar. Më pas, i njëjti ia largon plisin nga koka të moshuarit dhe e kontrollon.
Për të mos mbaruar me kaq, të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka fyer dhe sharë me fjalë të ndryshme viktimën, derisa ka intervenuar dikush.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa janë marrë deklaratat edhe të disa dëshmitarëve.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti.