Dyshohet se vazhdimisht ngacmonte një grua, ky është 51-vjeçari që u arrestua në Prishtinë

Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm nëpër qytete, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë. Për një rast të tillë, së fundi është arrestuar një person në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Njazi Haliti, 51-vjeçar.

Haliti u arrestua të martën në qendrën tregtare ‘Albi Mall’, pasi i njëjti ishte denoncuar nga një 30-vjeçare e cila ka pohuar se vazhdimisht ngacmohet nga i dyshuari.

Ai më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.

Lexo edhe:  Inteligjenca amerikane lidh terroristët e veriut me “forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse”