Ambasadori që fshehu 3.9 milion franga nga shteti i Kosovës nis biznes në “Prishtina Mall”

Vetëm një ditë pasi ish-ambasadorit dhe biznesmenit kosovar Akan Ismailit iu zbuluan rreth 4 milionë franga të fshehura në një llogari bankare në Zvicër, në publik u njoftua se i njëjti po hap një biznes të ri në Prishtinë.

Fjala është për një park argëtues më të madhin të brendshëm në Kosovë dhe rajon, siç thuhet në njoftimin e shpërndarë në media. Ky biznes paralajmërohet të jetë pjesë e qendrës së re tregtare “Prishtina Mall”, dhe se gjithçka pritet të startojë në pranverë të vitit të ardhshëm.

Për më tepër, biznesi i ri i Akan Ismailit në hapësirë të brendshme, njoftohet se do të ofrojë edhe aventurën e Go-Kartingut me standardet e gjeneratës me të re në treg.

Biznesi i ri i ish-manjatit të telekomunikimeve, me emër tregtar “Hyperactiv” (Unlimited Gaming SH.P.K.) në ARBK del të jetë i regjistruar në kuadër të kompanisë multimiloneshe “Fundway LLC”. Këtë biznes, i regjistruar më 06 gusht 2010, Akan Ismaili e ka në bashkëpronësi 50/50 me biznesmenin tjetër Bujar Musa.

Kapitali i regjistruar në ARBK i kësaj kompanie del të jetë hiq më pak se 14,535,309.00 Euro. Nga mbi 7.2 milionë Euro kapital të ndarë mes dy pronarëve Ismaili dhe Musa.

Pjesë e “Fundway LLC” është edhe kompania e sigurimeve “Scardian”.

“Fondway LLC” për drejtor të deklaruar ka Artan Lahun që konsiderohet njeriu më i besueshëm i pronarëve të kompanive. Derisa i njëjti figuron edhe ai agjent i regjistruar në “Scardian” dhe përfaqësues i autorizuar në “Hyperactive”.

Një hulumtim i “Balkan Insight” në vitin 2015 kishte zbuluar se biznesmenët Akan Ismaili dhe Bujar Musa kishin pasur lidhje biznesore edhe me Zvonko Veselinoviq – i sanksionuar tashmë non-grata nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Lexo edhe:  Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi – dërgohet në mbajtje për 48 orë

Dyshja multimilionerë kanë qenë edhe themelues dhe ish-drejtues të IPKO’s. Madje, Akan Ismaili para se të shkonte për mision diplomatik si ambasador i Kosovës në SHBA, kishte qenë edhe drejtor i IPKO’s.

Në periudhën kur ata drejtonin kompaninë ka patur raportime të ndryshme dhe hetime se IPKO ka shmangur miliona Euro tatime, e madje nuk i është paguar shtetit as një garanci bankare me vlerë 15 milionë Euro kur ishte fituar tenderi për hyrjen e telefonisë IPKO në Kosovë.

Në lidhje me këto pretendime, zëdhënësja e IPKO’s, Afrika Zyferi të premten i tha gazetës online Reporteri.net se “Nuk kemi informacion ne lidhje me këtë çështje”.

Pyetjet në drejtim të saj përveç për dyshimet e ngritura rreth shmangies së pagesës së garancës bankare, ishin edhe rreth mundësisë që IPKO të implikohet në skandalin e fshehjes së milionave nga ana e Akan Ismailit në Zvicër.

Një hulumtim i organizatave “Preport” dhe “OCCRP”, ka zbuluar së fundi se Akan Ismaili kishte miliona franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në Credit Suisse në Zvicër. Ato miliona ai nuk i kishte deklaruar tek autoritetet kosovare siç kërkohet me ligj, sipas të dhënave bankare të zbuluara, gjatë kohës sa ka qenë ambasador i Kosovës në SHBA.

Ish-manjati i telekomunikacionit Akan Ismaili u emërua ambasador në vitin 2012.

Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në Credit Suisse, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-tës.

Lexo edhe:  Vdekja e volejbollistes, dalin pamjet e fundit të saj në korridorin e hotelit

Akan Ismaili as të premten nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetës online Reporteri.net, të dërguara me e-mail për komente e sqarime, përmes e-mail adresave zyrtare të biznesit të tij funksional në Kosovë, “Scardian”.

Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.