Dyshohet se theu një veturë dhe vodhi çantën me gjësende të vlefshme, bie në pranga 39-vjeçari në Malishevë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër vetura, shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ka ndodhur në Malishevë, pasi një person dyshohet se kreu vjedhje në një veturë në rrugën ‘Skenderbeu’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 39-vjeçari është identifiuar pas më shumë se një muaji në arrati dhe i njëjti është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Ai dyshohet se kishte thyer një veturë e cila ishte e parkuar në parkingun e një shitoreje dhe kishte vjedhur një çantë krahu brenda së cilës kishte dokumente personale dhe gjësende me vlerë rreth 200 euro.

Sinjali mëson se ai dyshohet që ka vjedhur material ndërrtimor në objektin që ishte në ndërtim e sipër.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Lexo edhe:  Dalin pamje të reja nga aksidenti i tmerrshëm, momenti kur trupat merren me ambulancë