Dyshohet se kreu disa vjedhje në ‘Super Viva’, arrestohet 30-vjeçari në Prishtinë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ka ndodhur së sot në shitoren ‘Super Viva’ në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë, ku një person u arrestua pasi dyshohet se ka kryer disa vjedhje në periudha të ndryshme kohore.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 30-vjeçari është ndaluar nga stafi i shitores, pasi është identifikuar në bazë të pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe më pas i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ai po ashtu dyshohet se ka kryer vjedhje edhe në shitoren ‘Maxi’ në rrugën ‘B’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

 

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ndërron jetë në moshë të re Leon Syla nga Shakovica e Podujevës