Dyshohet për mashtrim në shitblerjen e një veture, ky është 46-vjeçari që u arrestua në Prishtinë

Rastet e mashtrimit me shitblerje të veturave nuk janë të rralla. Shumë herë kosovarët përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë pasi bien pre e rasteve të tilla, që iu shkaktojnë humbje. Për një rast të tillë, është arrestuar së fundi një person në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Fatmir Thaqi, 46-vjeçar.

Thaqi është arrestuar, pasi i njëjti është denoncuar nga një person për mashtrim lidhur me shitblerjen e një veture.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që Thaqit t’i caktohet masa e ndalimit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që muaj më parë kishte mashtruar viktimën mashkull kosovar gjatë shitjes së një veture. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje“, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Shokët dhe shoqet e klasës janë të prekur thellë në shpirt..”, postimi prekës i shkollës së 5-vjeçarit në Pejë